Kanali 7...

Rama e shkarkoi nga posti i ministrit/ Peleshi tregon marrëdhëniet me kryeministrin

Javën e ardhshme Presidenti i Republikës Ilir Meta do t’i kthejë Parlamentit ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke i kërkuar shumicës qeverisëse të rishikojë hapjen e listave dhe modelin e koalicioneve, por mazhoranca është e vendosur në pozicionin e saj për të refuzuar kryetarin e shtetit Ilir Meta. Drejtuesi politik i Korçës Niko Peleshi shpjegon se çështja e reformës zgjedhore tashmë është e mbyllur, dhe çdo lëvizje e presidentit, apo faktorëve të tjerë politikë nuk do të ndryshojnë asgjë.

 

NIKO PELESHI

DREJTUES POLITIK I KORÇES, PS

“Nuk shikoj arsye për asnjë parti të shpenzojë energji me kodin. Nuk të bën formula fitues të bën vota popullore. Ne nuk kemi një kod, i cili nuk deformon votën popullore, në rast se një parti merr më shumë vota do të marrë më shumë mandate. Kjo është formula që kemi sot.”

 

Për mazhorancën, formula e koalicioneve me liste të përbashkët koalicionesh nuk diskriminon asnjë forcë politike.

 

“Nuk shkuam te primi, ka qenë në diskutimet tona politike edhe ajo formulë, jo tani, po flas në të gjitha zgjedhjet. Shkuam te një formulë që nuk lejohen koalicionet, por që çdo parti merr mandate ne varësi të votave që merr. Jo një parti e vogël merr mandate me gjysmat e votave, partia e madhe merr tepricat. Kjo është ajo që u korrigjua.”

 

Pas dhjetorit të vitit 2018 kur si pasojë e ndryshimeve në qeveri Niko Peleshi u largua nga posti i ministrit të Bujqësisë, ai ka qenë pak aktiv në media, por vetë Peleshi hedh poshtë zërat për një krisje të marrëdhënies së tij me kryeministrin Rama.

 

“Nuk kam asnjë ftohje me kryeministrin, në rast se i referoheni ndryshimeve të fundit në qeveri, pas të cilave unë nuk jam më ministër, do të ishte mendjelehtësi dhe naivitet politik në rast se një ministër kushdo qoftë ai do të ndihej si i fyer pse nuk vazhdon të jetë ministër. Shqipëria nuk ka këtë hall s’ka hallin e punës që do bëjë Niko Peleshi, apo kushdo tjetër. Shqipëria ka hall tjetër dhe e kundërta do të ishte keq, pra nëse do të kishim formacione që nuk ndryshojnë ne nuk jemi monarki, ne si trashëgojmë mandatet. Ato fitohen me votën popullore dhe me vullnetin e kryeministrit, i cili kompozon një formacion qeveritar, ku harmonizohen të gjitha që nga performanca deri te shumë faktorë të tjerë.”

 

Niko Peleshi u zyrtarizua në shtator si drejtues politik i qarkut të Korçës, ku në vitin 2017 Partia Socialiste mori 6 mandate nga 11 që ka ky qark, e duket se në 25 prill Korça do të jetë një nga fushëbetejat mes mazhorancës dhe opozitës për të fituar drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.