Kanali 7...

Rama rikonfirmon Rahim Spahiun në Peshkopi, kandidat për kryebashkiak edhe vitin e ardhshëm

Më pak se një vit nga vendoret e 2023-it, për Dibrën kandidati do të jetë po ai, kryebashkiaku Rahim Spahiu.

 

I zgjedhur në vendoret e pjesshme të 6 marsit, kryesocialisti Edi Rama i dha fjalën se ai do të jetë kandidatura me të cilën Partia Socialiste do të rikërkojë fitoren në Dibër.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ne patjetër duhet ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë të cilin e keni pritur shumë mirë, të cilin Dibra e ka votuar masivisht dhe për të cilin edhe sot që flasin vazhdoj dëgjoj vetëm fjalë të mira. Kështu që, mos e marshim mësysh kryetarin e bashkisë dhe mos fillofshin ato hedhje-pritjet dibrane prapa krahëve se pastaj na mori lumi.

 

Kryebashkiakut Rahim Spahiu dhe Belinda Ballukut si drejtuese politike e qarkut të Dibrës u la si detyrë fitoren e tre mandateve të deputetëve në parlamentaret e 2025-es. Në të fundit, ato të 25 prillit të një viti më parë qarku i Dibrës nën drejtimin e Olta Xhaçkës, nuk përmbushi objektivin e kërkuar nga Edi Rama. Nga pesë mandatet, demokratët morën tre ndërsa socialistët dy.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ne kemi marrë një rezultat jo të mirë në Dibër në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, pra nuk e kemi arritur objektivin. Mirëpo patëm një rizgjim shumë pozitiv në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku u pa shumë qartë se kur ju doni, nuk ka asnjë gjë që ju pengon të realizoni objektivin. Duhet të rimarrim ato 3 mandatet tona që na takojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme sepse ne jemi këtu për një rrugë të gjatë dhe jemi këtu për të arritur të gjitha objektivat që i kemi vënë vetes dhe për ta bërë Shqipërinë e 2030 vendin që meritojnë fëmijët tanë.

 

Në Dibër, i pari i socialistëve ishte për të dëgjuar me veshët e tij programet e kandidatëve për kryetar të PS, një proces që po zhvillohet njëherësh në të 61 bashkitë.

 

Ai do të mbyllet në fund të qershorit dhe ndryshe nga e kaluara kryetarët e rinj të socialistëve nuk do të zgjidhen sipas parimit një anëtar një votë, por nga një komisioni i posaçëm, pra të emëruar nga kryesia e Partisë Socialiste. Përjashtim bën Tirana.

 

Me rregullat e reja në statutin, pas zhbërjes së parimit një anëtar, një votë, kryetari i socialistëve të Tiranës mund të jetë vetë drejtuesi politik i qarkut, pra Erion Veliaj ose një prej ministrave.

 

RAMA RIKONFIRMON RAHIM SPAHIUN

 

DO JETE KANDIDAT PER KRYEBASHKIAK EDHE NE ZGJEDHJET E VITIT TE ARDHSHEM