Kanali 7...

Rrëfehet 19-vjeçari që qëlloi shefin e policisë: Isha i dehur, kisha shumë frikë

Ilirjan Hasanaj, që u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës për atentatin ndaj shefit të policisë, ka pranuar autorësinë. Para autoriteteve, ai ka deklaruar se është ai autori i plagosjes së dyfishtë të ndodhur javën e shkuar në Shkodër. 19-vjeçari zbuloi edhe sesi ndodhi ngjarja, si edhe arsyen pse qëlloi.

 

“Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj, por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar në rrugë dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam patur me vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë, më ka qëlluar me vete. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjeshtë e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me nje problem pronësie tonën. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment, duke qenë edhe i alkoolizuar, e kam ndjekur dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur. Duke qenë drejtor, më erdhi në mendje se mund të na pengonte tek pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment.”

 

Ilirjan Hasanaj u shpreh i penduar për ngjarjen.

 

“Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorëzuar në polici. Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frikë, por tani e kam kuptuar dhe jam shumë shumë i penduar, ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë.”

 

I riu u vetëdorëzua një ditë më parë në polici. Ai qëlloi me armë drejt makinës së shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj. I plagosur nga atentati mbeti edhe babai i shefit të policisë.