Kanali 7...

Rritja  e çmimeve/ Tabaku: Qeveria biznes me taksat e shqiptarëve, inceneratorët vazhdojnë të marrin llokma

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka hedhur një sërë akuzash ndaj Qeverisë në lidhje me rritjen e çmimeve.

 

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se Qeveria ishte paralajmëruar për këtë rritje çmimesh dhe refuzoi të merrte masa.

 

Ajo shprehet se në rastin më të mirë zgjidhja e Qeverisë është propaganda dhe në rastin më të keq, rrugët e florinjta të PPP-ve.

 

Deputetja përmend aferën e inceneratorëve si një nga shembujt e abuzimeve, ku sipas saj pavarësisht situatës në të cilën ndodhet vendi, djegsat vazhdojnë të marrin llokmën e tyre.

 

Bizneset shtrenjtojnë çmimet, shqiptarët në krizë dhe qeveria biznes me taksat e qytetarëve.

Siç edhe fatkeqësisht ishte e parashikuar bizneset e prodhimit do të vazhdojnë rritjen e çmimeve si pasojë e rritjes së kostove të prodhimit. Një fakt i parashikueshëm më herët por që qeveria refuzoi ta dëgjonte sa herë i kërkohej vëmendja.

Në këtë mënyrë, qumështi, veza, djathi, buka, nënproduktet e mishit e kështu me radhë të gjitha produktet e tjera duket se do të kenë fatin e rritjes së mëtejshme të çmimeve.

Indeksi kostove të prodhimit e ka paralajmëruar këtë situatë me kohë ndërsa qeveria rrihte gjoksin se po përballonte inflacionin më mirë se gjithë rajoni. Duke harruar një fakt kyç, që shqiptarët kanë fuqinë blerëse më të ulët në rajon dhe që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave të tyre për shportën e ushqimeve.

Këtu, nuk duhet harruar dhe 1 në 3 shqiptarë që kanë më pak se 5 USD në ditë të ardhura. Kufiri ekstrem i varfërisë.

Cila është zgjidhja? Propaganda në rastin më të mirë apo rrugët e florinjta në rastet më keqdashëse të PPP-ve. Kjo pa përmendur 6 mln euro që i kanë shkuar inceneratorit të Tiranës këto muaj ndërkohë që Fieri dhe Elbasani vazhdojnë e marrin llokmat e kontratës 430 mln euro.

Shqiptarëve u ofrohet alternativa e propagandës, gënjeshtrës dhe padyshim aferave më korruptive ndërkohë që nuk ka asnjë zgjidhje për ekonominë, biznesin dhe konsumatorin.

Nëse vende si Greqia kanë nisur të flasin dhe të aplikojnë ulje taksash apo rishpërndarje të tyre në konsum qeveria Rama ka mendjen të vazhdojë aferat korruptive me të njëjtin ritëm dhe pandjeshmëri më të madhe.

Kjo është çështje vizioni dhe perspektive. Ata ofrojnë propagandë dhe PPP në vend që t’u japin shqiptarëve taksa të ulëta, tregun e lirë dhe incentiva.

Prandaj vjeshta dhe dimri pritet të jetë më i acartë ndërsa qytetarët zhyten në krizë, bizneset shtrenjtojnë produktet ndërsa qeveria bën biznes me taksat e shqiptarëve duke nënshkruar kontrata disa milionëshe.