Kanali 7...

Rusia mbyll rubinetat e gazit, reduktohet ndjeshëm furnizimi për Evropën

Gjigandi shtetëror rus i gazit, Gazprom ka reduktuar furnizimet për Europën. Kompania energjetike italiane “ENI” ka marrë një njoftim për reduktim te furnizimit me gaz.

“Gazprom” njoftoi për uljen e furnizimit me rreth 15%, por në të vërtetë ditën e enjten kompania italiane mori 35% më pak të vëllimit të kërkuar.

Ndërsa operatori francez i gazit GRT thotë se nuk ka marrë asnjë metër kub gaz nëpërmjet tubacionit të saj nga Gjermania prej më shumë se një muaji.

“Gazprom” tha se duhej të ulte furnizimet përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” për shkak të riparimit të njësive të pompimit dhe mosfunksionimeve të motorëve.

Italia siguron rreth 40% të furnizimit nga Rusia, ndërsa Franca rreth 17%.

“Gazprom” veproi në të njëjtën mënyrë edhe me Gjermaninë, duke i reduktuar furnizimin me gaz me më shumë se 60% këtë javë.

Gjermania akuzoi kompaninë ruse se ky ishte veprim i motivuar politikisht, ndërsa “Gazprom” u justifikua duke thënë se reduktimi vinte si pasojë e riparimeve në rrjet.