Kanali 7...

Shpërndanin drogë në lagjet e Tiranës, mes të arrestuarve tre adoleshentë

Policia e Tiranës ka finalizuar dy operacione për goditjen trafikut te narkotikeve ne Tirane duke prangosur kater persona.

 

Gjithashtu eshte sekuestruar lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në doza gati për shitje.

 

Njotimi i policisë:  

Finalizohen me sukses, brenda 12 orëve, nga strukturat e DVP Tiranë, 2 operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

-Operacioni policor i koduar “Kontaktuesit”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Vihen në pranga 3 shtetas, sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në doza gati për shitje.

-Operacioni policor i koduar “Sharra”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e llojit kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë finalizuar dy operacione policore, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 4 shtetas.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontaktuesit”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasve:

H. D., 17 vjeç, R. B., 16 vjeç dhe M. U., 17 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.

Këta shtetas, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në zonën e quajtur “Ish-parku” dhe në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sharra”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shtetasi R. L. kishte kultivuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në fshatin Sharrë, në vendin e quajtur “Përroi i Lamucve”. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me bimët narkotike.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi R. L., pasi kultivonte bimë narkotike, e përgatiste lëndën narkotike cannabis sativa në doza, gjithashtu siguronte lëndë narkotike kokainë, të cilën e ndante në doza, dhe i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.