Kanali 7...

Shqipëria ndihmon Kosovën me energji; vendimi i Korporatës pasi situata konsiderohet emergjente

Prej dy ditësh Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke furnizuar me energji Kosovën, e cila është në krizë dhe ka njoftuar rikthimin e kufizimeve.

Nga e hëna dhe e marta një sasi totale energjie prej 1400 MW/h është duke u transmetuar drejt Kosovës në kuadër edhe të marrëveshjes për ti ardhur në ndihmë shtetit fqinj.

 

Marrëveshja për shkëmbim energjie konsiston në faktin se Shqipëria i jep energji Kosovës kryesisht në muajit e dimrit, por situata aktuale konsiderohet si emergjente.

Sipas të dhënave nga Korporata Elekronergjetike, sasi e transmetuar konsiderohet si një tepricë, pasi aktualisht për shkak të uljes së temperaturave, edhe konsumi ditorë në vend, ka rënë.

 

Javës që shkoi KESH tentoi të blinte në tregjet ndërkombëtare energji për pjesën e dytë të gushtit, por tenderi u anulua për shkak të çmimeve të larta me të cilat rezultoi, mbi 600 euro mw/h.

 

Aktualisht kjo javë do të përballohet me prodhimin vendas. Ndërkohë këto ditë KESH do të tentojë sërish të dalë në treg për të siguruar energji për javën e ardhme dhe shtatorin, por dinamika e tregjeve duket jo shumë favorizuese.

 

Vetëm për muajin gusht fondi për blerje energjie kap shifrën e 50 mln euro. Ndërsa për gjatë gjithë vitin 2022 pritshmëritë janë se shpenzimet për import do të kapin shumë prej 400 mln euro.