Kanali 7...

Studentët protestojnë në Spanjë/ Të rinjtë kërkojnë që shkollat të mos mbyllen

Qindra studentë në qytetet kryesore të Spanjës janë bashkuar në protestë kundër masave që ka ndërmarrë qeveria për menaxhimin e pandemisë. Ata shprehen se sistemi arsimor është lënë në një pasiguri totale.

 

Ndërkohë edhe mjekët në Madrid protestojnë duke kërkuar kushte më të mira pune dhe më tepër staf mjekësor për të përballuar fluksin.

 

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se jeta e natës është një nga burimet kryesore të infektimit me Covid-19 në këtë valë të dytë të pandemisë dhe si rrjedhojë do të vendosë më tepër kufizime duke zbatuar fashat orare gjatë natës.

 

Ndërsa në Itali, ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza kërkon më tepër vigjilencë në ruajtjen e distancës fizike si dhe respektimin e masave të tjera.

 

ROBERTO SPERANZA

MINISTER I SHENDETESISE, ITALI

“Situata është shumë serioze, duhet ti themi gjërat ashtu si janë, kurba po rritet prandaj është thelbësore që të rrisim vigjilencën, kjo do të thotë që të evitohen daljet që nuk janë shumë të rëndësishme, aktivitetet thelbësore të vazhdojnë me kujdes. E kemi ne në dorë të kufizojmë rritjen e rasteve të infeksionit në javët e ardhshme dhe sigurisht nuk duam një mbyllje të dytrë.”

 

Ndërkohë në Napoli, mbyllja e disa shkollave ka nxitur mënyra të reja mësimdhënieje, në rrugë dhe nga ballkonet.

 

TONINO STORNAIUOLO

MËSUES

“Pas urdhërit të kryebashkiakut De Luca për të mbyllur shkollat, më erdhën mesazhe nga nxënës dhe prindër të shqetësuar dhe mes lotësh për këtë situatë. Kështu që vendosa, nëse fëmijët nuk vijnë dot tek ne, pse të mos shkojmë ne tek ata.”

 

Prej ditësh, në disa vende të Europës vijojnë protestat kundër rikthimit të kufizimeve ndërsa deri më tani qeveritë janë përqëndruar në kufizimin e jetës së natës aktiviteteve argëtuese. OBSH ka bërë të ditur se në krahasim me valën e parë të pandemisë është rritur ndjeshëm shkalla e infeksionit tek të rinjtë.