Kanali 7...

SUEDIA KUNDËR VAKSINIMIT TË FËMIJËVE

Suedia ka vendosur  të mos i rekomandojë vaksinat kundër COVID për fëmijët e moshës 5-11 vjeç. Lajmi u bë i ditur  nga Agjencia e Shëndetësisë, e cila ka argumentuar se përfitimet e dozave te kjo grupmoshë nuk i tejkalojnë rreziqet. Ndërkohë rajoni i Katalonjës në Spanjë i ka dhënë fund të premten përdorimit të pasaportës së vaksinës.

Debati rreth vaksinimit të fëmijëve kundër Covid-19 ka ndarë ekspertët shëndetësorë në qëndrime. Disa prej tyre shprehen pro injektimit të dozave anticovid dhe pjesa tjetër rendit argumenta kundër një nisme të tillë. Pavarësisht këtyre debateve, Suedia është shprehur kundër rekomandimit të vaksinimit të fëmijëve 5 deri në 11 vjeç. Në njoftimin e pubikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Shëndetësisë, sqarohet se përfitimet e imunizimit me injeksionet nuk i tejkalojnë rreziqet.

“Me njohuritë që kemi sot, me një rrezik të ulët të sëmundjes serioze për fëmijët, nuk shohim asnjë përfitim të qartë nga vaksinimi i tyre,” tha zyrtarja e Agjencisë Shëndetësore Britta Bjorkholm,  në një konferencë shtypi.

Qeveria suedeze ka lajmëruar gjithashtu se mund të lehtësojë masat kufizuese më 9 shkurt, në pritje të uljes së infektimeve.

Ndërkohë, Katalonja në Spanjë po heq dorë gradualisht nga bllokimet e pandemisë, ashtu si edhe vende të tjera në Europë. Rajoni spanjoll, ka njoftuar dhënien fund të kërkesës për një pasaportë vaksinimi duke filluar nga kjo e premte. Me daljen e variantit të ri Omicron, leja shëndetësore konsiderohet e paefektshme në këtë rajon.

“Tani që ky variant më ngjitës ka zënë vend, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është përsëri e ndjeshme për t’u infektuar me virusin, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit ose që kanë kontraktuar tashmë sëmundjen”, shpjegoi qeveria rajonale në një deklaratë, e cila pason mendimin e komitetit të saj të ekspertëve.