Kanali 7...

Tedi Blushi i përgjigjet Ramës: Lexo Kushtetutën, presidenti pret me durim përgjigjet

Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi reagoi pas përgjigjes së kryeministrit Edi Rama për presidentin Ilir Meta.

 

Teksa Rama i tha presidentit se nuk ka kompetencë të merret me çështjen e pandemisë, Blushi këshilloi kryeministrin të lexojë Kushtetutën.

 

Tedi Blushi tha në “Facebook” se kryetari i shtetit po pret përgjigjet për masat e marra për pandeminë.

 

“Kryeministri ende në detyrë, së pari bën mirë të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë. I kujtojmë se është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë. Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.”

 

Ilir Meta i dërgoi një letër qeverisë këtë të mërkurë, ku u shpreh i shqetësuar për shtimin e rasteve dhe viktimave. Ai kërkoi të merren masa urgjente për të parandaluar një katastrofë. Por kryeminsitri Edi Rama i kërkoi presidentit të shohë punët e veta.