Kanali 7...

Tronditje në PD/ Komisioni skualifikon 10 ish-deputetë që i futi Basha në 2017

Lista finale e kandidatëve për deputetë e hartuar nga Genc Ruli, Mark Marku, Besnik Mustafaj, Bujar Nishani dhe Enriketa Papa ka shkaktuar jo pak tronditje në Partinë Demokratike.

 

Ata i kanë dorëzuar sot Lulzim Bashës listën me 326 emra ku janë skualifikuar 160 kandidatë mes të cilëve, më shumë se dhjetë ish-deputetë që Basha i futi në vitin 2017. Komisioni ka vendosur se emrat që janë promovuar nga vetë Basha, si Ervin Salianji dhe Endri Hasa, nuk duhet të jenë deputetë të Partisë Demokratike.

 

Komisioni ka skualifikuar edhe disa prej grave që Basha kandidoi në 2017, si Fatbardha Kadiun, e cila u zgjodh në Qarkun e Durrësit. Më herët, anëtarësia ka votuar q ëish-deputetët Klevis Balliu dhe Astrit Veliaj të mos kandidojnë më për Partinë Demokratike.

 

Krahas ish-deputetëve, anëtarësia dogji edhe ish-kryetarët e Bashkive të Tropojës, Kukësit e Pogradecit. Kjo është hera e parë që Partia Demokratike pyet anëtarësinë për kandidaturat dhe ngre një komision të pavarur për të përzgjedhur ekipin me të cilin do të garojë në zgjedhje.

 

Sipas udhëzimit të miratuar nga Kryesia, të gjithë ata që skualifikohen nga ky proces, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë. Megjithatë, lista përfundimtare e deputetëve do të miratohet në fillim të muajit mars e mbetet për t’u parë sesi do të veprojë Lulzim Basha me emrat që u hoqën nga komisioni dhe anëtarësia.