Kanali 7...

Trump i bindur për fitoren. Ironizon Biden dhe hedh sërish akuza ndaj Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, foli me bindje për fitoren e një tjetër mandati si president i Amerikës, gjatë fjalimit të mbajtur në fushatën e radhës, në qytetin e Carson, në Nevada.

Duke folur para një audience me rreth 5,000 përkrahës, ku pjesa më e madhe e tyre ishin kryesisht pa maska, Trump shënjestroi kandidatin demokrat për president, Joe Biden, duke u shprehur se ai nuk meritonte të nominohej zyrtarisht si kandidat për president i demokratëve.

Trump gjithashtu foli edhe për censurimin e rrjeteve sociale dhe për një pjesë të mediave të cilat janë mbështetëse të Joe Biden duke mos publikuar lajmet e korrupsionit që përfshinë Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden.

Donald Trump: Ata nuk e raportojnë këtë skandal, sepse ata duan që të fitojë Biden dhe në këtë mënyrë ata mund të zotërojnë vendin. Por falenderoj gazetën më të vjetër amerikane New York Post e cila nuk u përfshi në skandalin e censurimit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi serish Kinën për përhapjen e koronavirusit ndërsa shtoi se populli amerikan nuk do ta harronte kurrë faktin se ky vend nuk arriti ta izolonte virusin brenda territorit të saj.

Donald Trump: Shtatë muaj më parë kur e gjithë bota u godit nga virusi, të cilin duhet ta kishin mbajtur brenda, ata mbrojtën vendin e tyre por jo botën. Dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë fakt.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar edhe kandidati për president Joe Biden.

Joe Biden: Në vend që të marrë përgjegjësi dhe të drejtojë, Presidenti Trump vazhdon të minimizojë pasojat e COVID-19.

Edhe zëdhënësi i fushatës së Biden, Andrew Bates reagoi pas komenteve të presidentit Trump duke e akuzuar atë se po injoron vazhdimisht paralajmërimet e ekspertëve shkencorë dhe mjekësorë  përsa i përket virusit.