Kanali 7...

Ukraina kërkon armë nga G7/ Zelenskiy: Duam sisteme kundërajrore, me shumë sanksione si dhe eksport të grurit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u është drejtuar liderëve të G7 me një video-konferencë gjatë punimeve të samitit. Ai ka kërkuar që ata të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij deri në fund të vitit.

 

Nga Kievi, Zelenskiy ka kërkuar prej vendeve të G7-ës që të zgjerojnë ndihmat dhe t’i dërgojnë vendit të tij armë të tjera, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes kundërajrore.

 

Njëkohësisht Zelenskiy tha se shtatë vendet e zhvilluara duhet të shtojnë presionin dhe sanksionet kundër Rusisë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve që të rrisin me tej sanksionet kundër Moskës.

 

Zelenskiy kërkoi që G-7 të ndihmojë Ukrainën edhe në eksportin e drithërave të bllokuara, sepse kjo sipas tij i siguron vendit të ardhura të tjera financiare, të domosdoshme për mbrojtjen dhe rindërtimin e vendit.

 

Nga ana tjetër, mikpritësi i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz u përgjigj se G7 po ndërmerr të gjitha masat e mundshme për të gjetur një zgjidhje për transportin e drithërave ukrainase, të cilat kanë mbetur të bllokuara në porte.

 

Kriza ushqimore është një ndër shqetësimet që do të diskutohet në samitin e G7, pasi me bllokimin e grurit ukrainas, situata pritet të jetë katastrofike sidomos për vendet e Afrikës.

 

Rusia dhe Ukraina eksportojnë një të tretën e drithërave në botë dhe mungesa e tyre do të kërcënonte me uri të paktën 50 milion njerëz sipas Organizatës Botërore të Ushqimeve.