Kanali 7...

Veliaj: Hapim garën për transformimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe stadiumit “Selman Stermasi”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ishte në Pistën e re Olimpike të Atletikës në Parkun e Liqenit Artificial, ka deklaruar se Pallati i Sportit “Asllan Rusi” dhe stadiumi “Selman Stermasi” do të jenë investimet e radhës për sportin.

 

“Ne do të hapim disa gara për të transformuar hapësira jashtëzakonisht të çmuara sportive të qytetit tonë. Gara e parë do të jetë për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Nuk mund të kemi një hangar avionësh, që çfarë bie jashtë futet brenda, ashtu siç kishim një teatër prej tallashi, s’mund të kemi një pallat sporti prej kompensate. Pallati i Sportit duhet të jetë tamam një arenë . Siç kemi “Arena Kombëtare” për lojërat me këmbë, do të jetë dhe “Arena Kombëtare” për lojërat me dorë, volejbollin dhe për basketbollin. Nesër mund të përdoret edhe për koncerte, siç ndodh kudo në botë. Ne me një mini investim që kemi bërë tek Parku Olimpik te salla “Feti Borova”, i ka dhënë jetë qytetit. Imagjinoni të kemi një arenë profesioniste kombëtare, po sidomos në funksionon të qytetit të Tiranës tek “Asllan Rusi””, tha Veliaj,

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se “Selman Sermasi” nuk do jetë vetëm një stadium për futbollin, por do shërbejë edhe për atletët.

 

“Atje do të mundohemi të reflektojmë pak mbi mënyrën se si i kemi bërë gjërat në të kaluarën, ku futbollit i është dhënë 100% e vëmendjes. Aty kemi një mundësi që ta përdorim edhe për atletikën. Do ruajmë fushën e futbollit dhe do vendosim që në fillim në kriteret e garës edhe pjesën e atletikës. Do sigurohemi që siç “Arena Kombëtare” është kthyer në një “akupunkturë”, pra në një pineskë në “trupin” e qytetit që ka sjellë më shumë biznese, ka rritur vlerën e pronës në të gjithë këtë hapësirën buzë liqenit, te Korpusi, ashtu dhe “Selman Stermasi” mund të transformohet në një hapësirë fantastike me të njëjtën skemë siç funksionoi “Arena Kombëtare”, që me të gjithë kundërshtitë sot është një histori suksesi,” përfundoi Veliaj.