Kanali 7...

Vlerësimi i kandidatëve për GJK/ KED cakton relatorët: Procesi nuk varet vetëm nga ne

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi caktoi këtë të martë me short relatorët dhe këshilltarët që do të ndjekin verifikimin, pikëzimin dhe vlerësimin për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Sipas KED, për emrat që duan të zënë vendin e Besnik Imerajt është caktuar relatore çështjeje Vitore Tusha. Kurse për kandidatët që duan të ulen në karrigen e Fatos Lulos relatore e çështjes do të jetë Saida Dollani.

Në njoftimin për media, KED theksoi se ka marrë të gjitha masat që procesi i verifikimit të mbyllet sa më parë e të mos ketë vonesa. Por nga ana tjetër, KED shpjegoi se në këtë drejtim luajnë rol kyç edhe institucionet që duhet të kthejnë përgjigje.

“Pavarësisht nga angazhimi maksimal i këtij këshilli, thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike.”

Për verifikimin e kandidaturave, KED dërgon kërkesa për informacion në disa institucione, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private.