Kanali 7...

Vritet ambasadori italian/ Persona të armatosur tentuan të rrëmbejnë diplomatin

Ambasadori italian, Luca Attanasio është vrarë gjatë një sulmi të kryer në Goma, në Republikën Demokratike të Kongos.

Diplomati italian po udhëtonte me karvanin e ndihmave ushqimore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kur është sulmuar nga disa persona. Ambasadori u qëllua dhe më pas u dërgua me urgjencë në spital, por ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Ndërkohë i vrarë mbeti edhe polici që e shoqëronte .

 

Sipas zyrtarëve të Republikës Demokratike të Kongos, sulmi besohet të ketë qenë një përpjekje rrëmbimi.

 

Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio ndërsa ishte në Këshillin e Punëve të Jashtme në Bruksel u largua nga mbledhja për t’u kthyer në Romë pas marrjes së lajmit. Përmes një postimi në rrjetet sociale Di Maio tha se autorët  duhet të mbajnë përgjegjësi.

 

“Dy nëpunës shtetërorë u vranë gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Rrethanat e këtij sulmi brutal janë ende të paqarta dhe nuk do të kursehet asnjë përpjekje për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi.”

 

Diplomati i lartë italian ka qenë shefi i misionit të Italisë në Kinshasa që nga viti 2017 dhe u bë ambasador në 2019.