Kanali 7...

Zbardhet takimi i Metës me Kurtin: Të konkretizohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, presidenti Ilir Meta u prit këtë të enjte në një takim nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin bashkëndanë urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare, Ditës së Flamurit.

Ndërsa përgëzoi Kurtin për zhvillimin model të zgjedhjeve lokale në Kosovë, kreu i shtetit vlerësoi angazhimin e Qeverisë së Kryeministrit Kurti për të nxitur dhe thelluar në të gjitha fushat marrëdhëniet strategjike dhe vëllazërore mes dy vendeve tona.

Më tej, Meta shprehu mbështetjen për të gjitha nismat rajonale gjithëpërfshirëse, si Procesi i Berlinit, që, sipas tij, garantojnë konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve.

Në prag të mbledhjes së përbashkët të të dy Qeverive në Elbasan, ai shprehu besimin dhe nevojën që marrëveshjet që janë finalizuar e do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të lidhjeve, si dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.